NATO në alarm pas shkeljeve të hapësirës ajrore nga Rusia, Rutte: Veprime të qëllimshme ose paaftësi flagrante

Një gjendje alarmi është shpallur në NATO-s pas një sërë shkeljesh të hapësirës ajrore të vendeve anëtare, përfshirë Poloninë, Rumaninë dhe Estoninë.
Ngjarjet e fundit kanë ngritur shqetësime serioze për sigurinë në krahun lindor të Aleancës, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka reaguar me tone të ashpra.
Në një deklaratë për mediat, Rutte është shprehur se veprimet e fundit ajrore janë ose të qëllimshme, ose një shfaqje e “paaftësisë flagrante”.
“Ne gjithmonë do të vlerësojmë rrezikun, nëse bëhet fjalë për një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj mbrojtjes sonë të përgjithshme, ndaj qëndrimit tonë dhe do të veprojmë gjithmonë në përputhje me rrethanat, por në këtë rast nuk u bë një vlerësim i një kërcënimi të menjëhershëm”, tha ai gjatë një konference për shtyp, duke iu referuar ngjarjeve në Estoni.
Ndërkohë, kreu i NATO-s konfirmoi se është ende herët për të përcaktuar nëse Rusia qëndron pas fluturimeve të dyshuara të dronëve mbi Kopenhagë. Incidenti çoi në mbylljen e përkohshme të Aeroportit Ndërkombëtar të Kopenhagenit të hënën, duke ngritur alarmin për një nga ndërhyrjet më serioze në infrastrukturën civile të Danimarkës deri më sot.
“Autoritetet daneze po vlerësojnë aktualisht se çfarë ka ndodhur saktësisht. Është shumë herët për të thënë diçka përfundimtare”, shtoi ai.
Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, e cilësoi ngjarjen si “sulmin më serioz ndaj infrastrukturës daneze deri më tani”, duke nënvizuar rëndësinë e rritjes së gatishmërisë në nivel kombëtar dhe aleatësh.
Ngjarjet e fundit shtojnë tensionet në kufijtë lindorë të NATO-s, në një kohë kur siguria euroatlantike mbetet e brishtë për shkak të sjelljes së paparashikueshme të Rusisë në rajon.