Doli i dyti në renditjen e Topit të Artë, reagon Yamal

Pas humbjes në garën për “Topin e Artë 2025”, talenti i Barcelonës dhe kombëtares spanjolle, Lamine Yamal, ka reaguar për herë të parë publikisht në rrjetet sociale.
Edhe pse favorit për shumë analistë dhe tifozë, 18-vjeçari u rendit i dyti pas Ousmane Dembélé, i cili fitoi çmimin prestigjioz pas një sezoni fantastik me PSG-në.
Përmes një postimi të shkurtër, Yamal tregoi pjekuri dhe qetësi në këtë moment të rëndësishëm për karrierën e tij: “Plani i Zotit është perfekt, duhet të ngjitesh për të arritur majën.”
Ai falënderoi jurinë për Kopa Trophy – çmimin që e nderon si futbollistin më të mirë nën 21 vjeç – të cilin e fitoi për të dytin vit radhazi, duke e bërë të parin lojtar që arrin këtë sukses në mënyrë të njëpasnjëshme.
“I lumtur për Kopa Trophy x2 dhe urime për Dembélé për çmimin dhe sezonin e tij të shkëlqyer”, shkroi më tej Yamal.