Ora e Mozzik është false, konfirmohet nga avokati që kompania zvicerane e angazhoi për verifikim

Reperi i njohur, Mozzik, kohët e fundit ka bërë bujë me atë që u paraqit si orë luksoze “Richard Mille”, të cilën e ekspozoi në rrjetet sociale, si dhuratë që thoshte se ia kishte bërë vetes për ditëlindje.
E me të hyrë në Kosovë, ajo u konfiskua nga Dogana e Kosovës, me arsyetim se nuk e kishte deklaruar.
Por, ditën e sotme ekzaminimet për këtë orë treguan se ajo është false.
Kështu të paktën bëri të ditur shoqëria e avokatëve “Vokshi&Lata”, që njëherësh janë edhe përfaqësues ligjorë të kompanisë zvicerane “Richard Mille”.
“Ora e ndaluar në Doganën e Kosovës nuk është origjinale Richard Mille”, thuhet në reagim.
Si përfaqësues ligjorë të markës prestigjioze zvicerane “Richard Mille”, kompania tha se konfirmojmë se ora e sekuestruar së fundmi nga Dogana është një falsifikat, sipas verifikimit zyrtar të kryer nga kompania “Richard Mille”.
“Rezultati është komunikuar tashmë zyrtarisht me Doganën e Kosovës dhe procedurat ligjore do të vazhdojnë”, tha kompania e avokaturës në fjalë.