75 Mall Live Search
18:39 / E Martë, 23 Shtator 2025 / Burim

Gjuriq reagon në “X” pasi Osmani foli në Fox News, provon t’i paraqes atë dhe Kurtin si politikanë anti-Trump

Presidentja Vjosa Osmani, ka deklaruar se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i ka parandaluar disa konflikte, dhe se një gjë të tillë e bëri edhe në rastin e Kosovës, ku në muajin maj ka pasur një përpjekje nga Serbia, por që është parandaluar.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar ministrit të Jashtëm serb, Marko Gjuriq. Ky i fundit, deklarimet e Osmanit i cilësoi si ‘’pretendime të rrëme’’ dhe se, presidentja e ka përdorur intervistën në Fox News ‘’për të përhapur gënjeshtra’’.

‘‘Vjosa Osmani e përdori intervistën e saj në Fox News këtë mëngjes për të përhapur një sërë gënjeshtrash në një përpjekje për ta portretizuar qeverinë e saj si diçka që thjesht nuk është. Ajo pretendoi në mënyrë të rreme se Serbia ka planifikuar ndonjëherë një “sulm” ose ndonjë formë agresioni’’, ka shkruar ai.

Gjuriq ka thënë se deklarimet e Osmanit janë hedhur poshtë edhe nga Richard Grenell.

‘‘Kjo akuzë është hedhur poshtë tashmë publikisht – përfshirë edhe nga Ambasadori Richard Grenell, një nga aleatët më të ngushtë të Donald Trump. Pretendime të tilla tregojnë se Osmani qëndron në kundërshtim me politikat e Presidentit Trump dhe të Shteteve të Bashkuara që ajo pretendon se i përqafon’’, ka shtuar ai.

Tutje, ministri serb ka komentuar edhe pezullimin e dialogut strategjik të planifikuar nga ana e SHBA’ve, duke thënë se këtë gjë, Osmani  ‘’harroi të përmendte’’.

‘‘Pikërisht për këtë arsye administrata amerikane e udhëhequr nga Presidenti Trump ka pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik midis SHBA-së dhe “Kosovës”. Një detaj i vogël që ajo “harroi” ta përmendte’’, ka vijuar më tej ai.

Gjuriq në postimin e tij të bërë në platformën ‘’X’’, ka pretenduar se, gjithherë sipas tij, Qeveria e Kosovës ka qenë qeveri anti-Trump.

‘‘E ashtuquajtura “qeveri e Kosovës” në fakt ka qenë qeveria më e hapur anti-Trump në Evropë – duke vepruar jo vetëm kundër politikës amerikane, por edhe kundër vetë vlerave që përfaqëson Evropa. Dhe ideja e qeverisë së saj për të “mbështetur” Presidentin Trump? Pjesëmarrja në Konventën Demokratike në mes të një fushate zgjedhore në SHBA. Nëse ky nuk është një shembull tipik i ndërhyrjes së huaj dhe dyfytyrësisë politike, është e vështirë të imagjinohet se çfarë është’’, ka përfunduar ai.