Dy vjet nga rënia e heorit Afrim Bunjaku, organizohen homazhe dhe akademi përkujtimore

Nën patronazhin e ministrit të Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla, dhe drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, sot po mbahen aktivitete për shënimin e dyvjetorit të rënies heroike të heroit Afrim Bunjaku, zyrtar i Policisë së Kosovës.
Homazhe te varri i heroit – ora 10:30
Në orën 10:30, në prani të krerëve shtetërorë, kabinetit qeveritar, ministrit të Punëve të Brendshme, drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, përfaqësuesve të korpusit diplomatik, si dhe zyrtarëve të tjerë nga Policia e Kosovës, janë bërë homazhe te varri i heroit Afrim Bunjaku.
Gjatë këtij nderimi solemn është bërë vendosja e kurorave me lule nga përfaqësuesit institucionalë, në shenjë respekti për sakrificën dhe kontributin e z. Bunjaku në mbrojtje të rendit dhe sigurisë.
Akademi përkujtimore – ora 15:00
Në orën 15:00, në Sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, do të mbahet një akademi përkujtimore në nderim të heroit Afrim Bunjaku. Në këtë ngjarje do të marrin pjesë përfaqësues të lartë institucionalë, familjarë të heroit, kolegë dhe qytetarë.
Aktivitetet e sotme janë një kujtesë dhe nderim për veprën dhe guximin e Bunjakut, i cili ra në krye të detyrës duke mbrojtur integritetin dhe sigurinë e vendit.