75 Mall Live Search
11:46 / E Mërkurë, 24 Shtator 2025 / L A

U pushua padrejtësisht nga puna pas një postimi për Gazën, gazetarja shpërblehet me 150 mijë dollarë australianë

Gjykata Federale australiane ka urdhëruar Korporatën Australiane të Transmetimeve (ABC) të paguajë 150 mijë dollarë australianë si dëmshpërblim për shkarkimin e padrejtë të prezantueses Antoinette Lattouf, e cila u largua nga puna për një postim në rrjetet sociale mbi luftën në Gaza.

Lattouf u angazhua për një periudhë njëjavore në programin “Mëngjeset” të “ABC Radio Sydney” në dhjetor 2023, por pas vetëm tre transmetimesh iu kërkua të largohej.

ABC argumentoi në gjyq se gazetarja ishte udhëzuar të mos komentonte mbi luftën në rrjete sociale, por gjyqtari Darryl Rangiah konstatoi se një udhëzim i tillë nuk i ishte dhënë kurrë.

Fillimisht, gazetarja u shpërblye me 70 mijë dollarë australianë, por gjykata vendosi të mërkurën një shumë shtesë, duke e çuar totalin në 150 mijë, vlerë që sipas gjyqtarit ishte e nevojshme që ABC të nxirrte mësim nga rasti dhe e cila duhet t’i dorëzohet asaj brenda 28 ditëve.

“ABC e zhgënjeu publikun australian kur braktisi të drejtat e punonjësve të saj për të qetësuar një grup lobimi”, tha gjyqtari.

Transmetuesi kombëtar i ka kërkuar falje publikisht Lattouf, duke pranuar se ka zhgënjyer stafin dhe audiencën e tij. Shkarkimi shkaktoi zemërim të gjerë publik, ngriti pikëpyetje mbi pavarësinë editoriale të ABC-së dhe solli shqetësime mbi mbështetjen për punonjësit me prejardhje kulturore.