75 Mall Live Search
19:33 / E Mërkurë, 24 Shtator 2025 / Z S

Sinjalizuesja e skandalit milionësh me ambalazhuesit e ujit: Nuk më frikëson as vdekja, sepse e dua vendin tim

Sinjalizuesja e rastit të madh të dyshuar për korrupsion me ambalazhues të ujit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Makfirete Dibrani, ka reaguar publikisht me një mesazh të fuqishëm drejtuar qytetarëve të Kosovës dhe diasporës.

Dibrani shkrun se nuk e frikëson as vdekja, sepse e don vendin e saj.

Postimi i plotë:

Të dashur bashkëatdhetarë,

Ditëve të fundit kam pranuar shumë mesazhe nga të njohur e të panjohur, nga Kosova dhe diaspora. Çdo fjalë e juaja ka qenë një dritë force për mua, një kujtesë e gjallë se nuk jam vetëm në këtë rrugë të vështirë për drejtësi.

Ndër të gjitha, një letër e një vajze 19-vjeçare nga Diaspora që studion drejtësi ,më preku thellë në shpirt.

Ajo më shkroi se guximi im i ka dhënë shpresë dhe besim se ndryshimi është i mundur.

Në sinqeritetin e saj pashë të ardhmen e vendit tonë. Rinia jonë, kudo që jeton, me dashuri për Kosovën dhe me bindjen se e vërteta është forca më e madhe që kemi.

Kjo më emocionoi dhe më dha më shumë forcë se kurrë, sepse kuptova se sakrifica ime nuk është e kotë , është frymëzim për ata që nesër do ta bartin përgjegjësinë për vendin.

Dua të ndalem edhe tek ata që me çdo kusht përpiqen të më mbjellin frikën, që duan të më godasin e të shtrembërojnë drejtësinë. Ata janë frikacakë që besojnë se me kërcënime mund të shuajnë të vërtetën.

Dua t’ju bëj me dije se nuk më frikëson as vdekja. Të gjithë e dimë se një ditë do të largohemi nga kjo botë, por unë nuk do të ndalem deri në frymën e fundit.

E di pse jam nisur dhe e di se nuk do të kthehem mbrapa. Jo per  hakmarrje , por e dua vendin tim.

NUK MË FRIKËSON AS VDEKJA,  E DI SE E VËRTETA JETON PËRGJITHMONË.

PËR DREJTËSINË DO TË NGRIHEM DERI NË FRYMËN E FUNDIT.

Kjo betejë nuk është vetëm e imja. Është e secilit që e do këtë vend, që beson se e ardhmja e Kosovës duhet të ndërtohet mbi drejtësi e jo mbi frikë, mbi të vërtetën e jo mbi mashtrime.

 Bashkë mund ta thyejmë murin e padrejtësisë dhe të ngremë themele të forta për një Kosovë ku fëmijët tanë të ëndërrojnë lirshëm.

Faleminderit nga zemra të gjithëve për çdo fjalë, çdo përqafim shpirtëror dhe çdo shpresë që më keni dhënë. Ju jeni forca ime, dhe bashkë jemi më të fortë se çdo padrejtësi. 🙏🇽🇰

Me respekt dhe mirënjohje,

Makfirete Dibrani./Indeksonline/