Policia e Izraelit arreston burrin që kërcënoi Netanyahun me vrasje

Policia izraelite ka arrestuar një burrë për kërcënimin me vrasje të kryeministrit, Benjamin Netanyahu.
Policia ka thënë se pak para se të fillonte festa e Vitit të Ri Hebraik të hënën në mbrëmje, një burrë në të dyzetat nga qyteti jugor Kiryat Gat ka hyrë në stacionin lokal të policisë, duke thënë se do ta vriste Netanyahun.
“I dyshuari u ka thënë oficerëve se planifikonte të blinte një armë zjarri dhe të qëllonte kryeministrin tri herë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Raportohet se burri është arrestuar dhe një padi kundër tij pritet të ngrihet të enjten. Policia synon ta mbajë burrin në paraburgim deri në fund të procedurave ligjore.