75 Mall Live Search
15:05 / E Enjte, 25 Shtator 2025 / S Z

Çeku takoi kompanitë lidere të TIK-ut në Prishtinë: Programi synon “ICT Tower”, rrjet qendrash Teknologjike e kreative e internet publik të shpejtë

Në Prishtinë, qytet ku shumica e banorëve janë të rinj dhe teknologjia është pjesë e përditshmërisë, kandidati për kryetar, Hajrulla Çeku, zhvilloi takime me disa prej kompanive kryesore të sektorit TIK në kryeqytet, ku u prezantoi programin për zhvillimin e ekosistemit digjital dhe atij kreativ.

 Sipas Çekut, Prishtina ka filluar tashmë një vrull të qëndrueshëm në teknologji, kompanitë vendore krijojnë shërbime softuerike për tregje ndërkombëtare dhe eksporti i shërbimeve digjitale e kreative po bëhet shtyllë e ekonomisë lokale.

 Megjithatë, ai theksoi se sfidat mbeten reale. Mungesa e një qasjeje të integruar, numri i vogël i hapësirave të përbashkëta që nxisin bashkëpunimin, si dhe barra e shtuar nga shërbime komunale jo plotësisht funksionale e dëmtojnë mbarëvajtjen e plotë të këtij sektori. Vizioni i tij për zhvillimin e fushave të TIK parashikon krijimin e një “ICT Tower” si dritare të inovacionit dhe vend takimesh profesionale, ngritjen e një rrjeti qendrash teknologjike e kreative me co-working hapësira, inkubatorë, FabLab dhe MakerSpace, grante dhe trajnime praktike për të rinjët në dizajn, kodim, UI/UX, marketing digjital dhe audio, si dhe internet publik me shpejtësi të lartë në çdo lagje.

Këto nisma do të kenë impakt të drejtpërdrejt në vrullin pozitiv të zhvillimit të mëtutjeshëm në këto fusha. Po ashtu, parashihet forcimi i urës arsim-treg përmes Research&Development dhe praktikave të punës në këto fusha, si dhe procedura të thjeshtuara për startupe dhe eksportues.

 Objektivat e Çekut shtrihen deri në vitin 2035: ekonomi metropolitane e integruar, sektor TIK i njohur ndërkombëtarisht dhe një Prishtinë SMART. Suksesi, sipas programit, do të matet me indikatorë të qartë: vende të reja pune në TIK/kreativ, rritje të eksporteve të shërbimeve, numër më të lartë startups të mbështetura, projekte R&D me universitete dhe mbulim me internet publik cilësor, me përfitime të shpërndara nëpër lagje.