Prodhimet “Made in Kosova” në raftet e Gjermanisë, rriten kërkesat për produktet e kompanisë “Drena”

Prodhimet “Made in Kosova”, po gjejnë gjithnjë e më shumë hapësirë në tregjet ndërkombëtare. Kësisoji, kompania “Drena” ka shënuar një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit jashtë kufijve të Kosovës.
Me një angazhim të palëkundur për cilësi dhe inovacion, Drena ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë “Drini”, me seli në Augsburg të Gjermanisë, për distribuimin e brendeve Ruko, Ruko Power dhe Panoni Ice Tea në të gjithë territorin gjerman.

Ky është një lajm inkurajues jo vetëm për kompaninë Drena, por për gjithë sektorin e prodhimit vendor, duke dëshmuar se puna cilësore, standardet e larta dhe përkushtimi mund të çojnë drejt suksesit edhe në tregje shumë konkurruese si ai i Bashkimit Evropian.

Ngarkesa e parë me produktet e Drena-s pritet të arrijë në Gjermani në javën e parë të muajit tetor, duke shënuar zyrtarisht nisjen e eksportit të rregullt për këtë treg.

Ky sukses vjen si rezultat i përkushtimit të vazhdueshëm të kompanisë për të ruajtur standardet më të larta të prodhimit dhe për të ndërtuar besueshmëri tek konsumatorët, brenda dhe jashtë vendit.
