75 Mall Live Search
09:22 / E Premte, 26 Shtator 2025 / SH

Fëmijët dhe koha para ekranit – Sa kohë lejohet që fëmijët të përdorin telefonat? – Sa kohë është e shëndetshme?

Prof. dr. Halil Krasniqi, ekspert i shëndetësisë

Në ditët e sotme, është e pamundur të imagjinojmë jetën pa telefona inteligjentë, tableta dhe kompjuterë. Këto pajisje janë bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë edhe për fëmijët. Studimet tregojnë se:

90 % e fëmijëve të moshës 8–11 vjeç, dhe
98 % e adoleshentëve të moshës 12–18 vjeç

përdorin rregullisht internetin. Kjo tregon se kontaktet e hershme me botën digjitale janë tashmë realitet për shumicën e brezit të ri.
Interneti dhe telefonat ofrojnë përparësi të mëdha: ndihmojnë në mësim, u japin fëmijëve qasje në dije dhe mundësi komunikimi. Por, përdorimi i tepruar dhe i pakontrolluar sjell pasoja serioze për shëndetin fizik, mendor dhe social.

Rreziqet kryesore të përdorimit të tepërt të telefonave

Përmbajtje e papërshtatshme
Fëmijët mund të hasin dhunë, pornografi apo lajme të rreme, të cilat ndikojnë negativisht në zhvillimin e tyre.
Çrregullime të gjumit
Drita blu e ekraneve pengon prodhimin e melatoninës – hormonit që rregullon gjumin – dhe fëmijët kanë vështirësi të flenë, sidomos nëse përdorin telefonin para se të shkojnë në shtrat.
Izolimi social
Në vend që të luajnë me shokët ose të komunikojnë me familjen, shumë fëmijë kalojnë orë të tëra vetëm para ekranit. Kjo ndikon në zhvillimin e aftësive sociale dhe të empatisë.
Dobësimi në shkollë
Shumë orë në internet shpesh sjellin humbje përqendrimi, nota më të dobëta dhe vështirësi për të kryer detyrat e shkollës.
Probleme shëndetësore
Mbipeshë dhe obezitet nga mungesa e aktivitetit fizik
Ankth dhe depresion nga përdorimi i tepruar dhe varësia digjitale
Rritje e rrezikut për mobbing online (cyberbullying)

Sa kohë lejohet ekrani? – Rekomandimet sipas moshës

Ekspertët ndërkombëtarë japin këto udhëzime:

Nën 2 vjeç: Nuk rekomandohet përdorimi i ekraneve (përjashtim: video-thirrjet me familjarë).
2–5 vjeç: Jo më shumë se 1 orë në ditë, gjithmonë me prani të prindërve.
6–10 vjeç: 1 deri në 2 orë në ditë, të shpërndara dhe të kontrolluara.
11–18 vjeç: 2 deri në 3 orë në ditë, duke i dhënë përparësi përmbajtjes edukative.

Kurse në Kosovë dhe në shumë vende të tjera, është bërë praktikë që fëmijëve t’u ofrohet telefoni apo iPadi që në moshën njëvjeçare. Shpesh kjo ndodh jo për arsye edukative, por si një mënyrë e shpejtë për t’i qetësuar ose për t’i “mashtruar” gjatë ushqimit dhe në kohën e lirë. Kështu, në vend që të plotësohen nevojat reale të zhvillimit të fëmijës – si komunikimi, loja, lëvizja apo kontakti me prindërit – ai bombardohet me figura lëvizëse dhe ngjyra të forta që e mbajnë të lidhur pas ekranit. Ky fenomen, që duket i padëmshëm në fillim, në të vërtetë dëmton shëndetin vizual, pengon zhvillimin e aftësive sociale dhe krijon një varësi të hershme ndaj telefonit ose iPadit. Kur fëmija mësohet që në moshë kaq të vogël me këtë mënyrë stimulimi artificial, bëhet shumë problematike që më vonë t’i vendosen kufij të shëndetshëm dhe të ofrohen konsekuenca të qarta në edukimin e tij. Pasojat janë afatgjata dhe prekin jo vetëm shëndetin, por edhe sjelljen, mësimin dhe marrëdhëniet sociale.

Shenjat që fëmija po e tepron me telefonin

Prindërit duhet të jenë të kujdesshëm ndaj këtyre sinjaleve:
Kalim i shumë orëve çdo ditë para ekranit
Vështirësi për të fjetur ose gjumë i pakët
Largim nga shokët dhe aktivitetet sociale reale
Dobësim i notave në shkollë
Sjellje agresive ose përfshirje në bullizëm online
Ankth, nervozizëm apo shtim në peshë

Çfarë mund të bëjnë prindërit?

Vendosja e kufijve të qartë: pa telefona gjatë ushqimeve apo para gjumit.
Të jenë shembull: prindërit duhet të kufizojnë edhe vetë përdorimin e pajisjeve.
Të shikojnë së bashku përmbajtjet dhe të diskutojnë me fëmijët mbi to.
Të ofrojnë alternativa: sport, lojë kreative, lexim, aktivitete në natyrë.
Të mësojnë fëmijët të përdorin me përgjegjësi teknologjinë dhe të dallojnë përmbajtjet e rrezikshme.
Kërkimi i ndihmës profesionale nëse shfaqen probleme serioze psikologjike ose sociale.

Përmbledhje texti

Teknologjia është pjesë e jetës sonë dhe nuk mund të shmanget. Por është detyrë e prindërve, shkollës dhe shoqërisë që ta udhëzojnë fëmijën drejt një përdorimi të balancuar, të shëndetshëm dhe edukativ të saj. Një fëmijë që mëson të përdorë telefonin me kufij të qartë, do të jetë më i suksesshëm në shkollë, më i shëndetshëm në trup dhe mendje, dhe më i aftë për jetën reale.