75 Mall Live Search
09:40 / E Premte, 26 Shtator 2025 / KV

Shkatërrohen dhjetëra armë zjarri të konfiskuara në Kosovë (Video/foto)

Policia e Kosovës ka organizuar ceremoninë zyrtare për shkatërrimin e armëve të vogla dhe të lehta ilegale, të konfiskuara gjatë muajve të fundit në gjithë vendin.

Ngjarja u mbajt në ambientet e kompanisë Metal 05 SH.P.K., në fshatin Prelez, përgjatë magjistrales Prishtinë – Ferizaj.

Gjatë procesit u shkatërruan dhjetëra armë zjarri të kalibrave të ndryshëm, duke filluar nga pistoletat TT e deri te pushkët me dylbi /snajperët/, të cilat ishin sekuestruar nga Policia e Kosovës në aksione të ndryshme.

Shkatërrimi u krye nën mbikëqyrjen e Njësisë Speciale të Kosovës, duke garantuar një proces të sigurt dhe të kontrolluar.

Ky aktivitet u mbështet nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) përmes Programit për Siguri dhe Siguri në Kosovë (KSSP), me përkrahje financiare nga Gjermania, Suedia, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Holanda dhe Norvegjia, si edhe në kuadër të Vendimit të Këshillit (PESK) 2024/3006 të 2 dhjetor 2024.

Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti është zvogëlimi i kërcënimit nga armët e vogla dhe të lehta ilegale dhe municioni i tyre, duke kontribuar në rritjen e sigurisë publike në Kosovë dhe rajon./IndeksOnline/