“Kemi realizuar mbi 90% të premtimeve, kundërshtarët s’kanë as program”, Shehu flet me vepra për Junikun

Kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu ka thënë se në mandatin e parë ka realizuar mbi 90% të premtimeve.
Shehu ka akuzuar kundërshtarët politikë për të cilët thotë se s’kanë as program dhe se po shërbehen me shpifje e fyerje personale.
“Në mandatin e parë kemi realizuar mbi 90% të premtimeve. Pra fjalët tona sot, janë garanci për Junikun nesër. Këtë nuk e themi ne, por qytetarët e Junikut, veprat që shihen dhe preken si edhe të gjitha organizatat që e kanë bërë matjen e realizimit të premtimeve tona.
Gjithsej mbi 11 milionë euro investime në projekte kapitale dhe rreth 400,000.00 euro subvencione për katër (4) vjet të qeverisjes. Në një komunë të vogël si Juniku, ky është rekordi i punëve të realizuara për një mandat që nga themelimi i Junikut si komunë.
Rezultati: 49 projekte konkrete të realizuara (prej tyre 35 premtime elektorale) që nuk kanë ekzistuar para 4 viteve, por që sot i gëzojnë junikasit.
Për mandatin e dytë, po prezantojmë para juve programin qeverisës 2025-2029 me 31 premtime dhe projekte të cilat kapin shumën e investimit mbi 13 milion euro, 400,000.00 euro subvencione si dhe parku solar me një investim afër 42 milionë euro që do të vendos Junikun në qendër të hartës energjetike të Kosovës.
LDK-ja në Junik është oferta e vetme politike me program serioz dhe projekte konkrete të cilat i prezantojmë dhe i premtojmë para votuesve në Junik. Kundërshtarët politikë nuk kanë fare program politik, prandaj shërbehen me shpifje, me fyerje dhe me akuza personale. Mirëpo junikasit kanë kulturë dhe kanë kriter. Ata e vlerësojnë punën dhe jo shpifjet. Juniku nuk i pranon ata që mashtruan për 12 vjet. Nuk i pranojnë as ata që pozitën e kryetarit të komunës e shohin si punë praktike për të krijuar përvojën e parë të punës në institucione”, shkruan Shehu në Facebook./Indeksonline/