75 Mall Live Search
16:54 / E Shtunë, 27 Shtator 2025 / H F

IKShPK: Uji nga liqeni i Badocit mund të konsumohet pa rrezik

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar sot se cilësia e ujit të pijshëm në zonën e furnizimit PR03 nga Ujësjellësi i Badocit ka shënuar përmirësim të dukshëm, me ulje të nivelit të manganit në përqendrime të pranueshme për konsum njerëzor.

Njoftimi i plotë:

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) njofton opinionin publik se nga monitorimet e fundit të cilësisë së ujit të pijshëm në zonën e furnizimit PR03 nga Ujësjellësi i Badocit është vërejtur ulje e dukshme e vlerave të manganit.

Analizat laboratorike të realizuara gjatë tri ditëve të fundit në Laboratorin e parametrave bazik dhe Laboratorin analitik – ICPMS tregojnë se vlerat më të larta të përqendrimeve të manganit në këtë zonë kanë variuar nga 0.012 mg/l deri në 0.037 mg/l, duke qenë të gjitha brenda kritereve të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ (UA) nr. 10/2021 – “Cilësia e ujit të destinuar për konsum nga njeriu”.

Bazuar në këto rezultate laboratorike dhe në përputhje me UA 10/2021, uji në zonën e furnizimit PR03 nga Liqeni i Badocit është i sigurt për pije.

IKShPK, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, do të vazhdojë monitorimin e rregullt dhe të vazhdueshëm të cilësisë së ujit, duke garantuar transparencë dhe informim të saktë për qytetarët.