Uran Ismaili zotohet për rrugë të sigurta 24/7: Gratë dhe vajzat nuk do të kenë më frikë të ecin vetëm gjatë natës (VIDEO)

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, ka zhvilluar një aktivitet me një grup grash dhe vajzash në lagjen Bregu i Diellit, ku kanë ecur së bashku gjatë natës për të parë nga afër problemin e mungesës së ndriçimit publik.
Edhe pse kjo lagje është një nga më të mëdhatë dhe më të rëndësishmet e kryeqytetit, ndriçimi mungon pothuajse në çdo rrugë, duke e bërë jetën e përditshme të pasigurt, veçanërisht për gratë dhe vajzat. Kjo gjendje shpesh i privon ato nga mundësia për të marrë pjesë në jetën komunitare dhe shpeshherë i detyron të kufizohen në lëvizje gjatë orëve të mbrëmjes.
“1,200 rrugë të Prishtinës janë pa ndriçim, ose me thënë ndryshe, 70% e Prishtinës nuk ka fare ndriçim. Mungesa e ndriçimit nuk është vetëm mungesë estetike, është mungesë sigurie. Prandaj do të investojmë në 1,000 rrugë të Prishtinës, që të ketë ndriçim në çdo lagje e çdo rrugë të Prishtinës,” tha Ismaili.
Gjatë ecjes, gratë dhe vajzat e pranishme ndanë përvoja të përditshme, duke theksuar se mungesa e ndriçimit dhe prania e qenve endacakë e kthejnë çdo dalje në ankth të vazhdueshëm.
Plani i Ismailit parasheh investime për ndriçimin e plotë të rrugëve të Prishtinës dhe përmirësim të sigurisë në çdo lagje e fshat të qytetit. Ky zotim lidhet ngushtë me një nga pesë prioritetet e tij për një Prishtinë funksionale dhe të jetueshme – ndërtimin e një kryeqyteti të sigurt 24/7, me rrugë të ndriçuara dhe pa qen endacakë, ku qytetarët mund të lëvizin lirshëm e të ndihen të mbrojtur si ditën ashtu edhe natën.