Dy netë sold out, Albani shton edhe datën e tretë në Prishtinë

Brenda vetëm pak orësh, Prishtina ka treguar edhe një herë dashurinë e jashtëzakonshme për Alban Skënderajn.
Koncerti i tij “Motiv”, i paralajmëruar fillimisht për një natë më 4 dhjetor, u bë “sold out” brenda tre orësh, duke detyruar artistin dhe ekipin e tij të shtojnë një natë të dytë.
Por edhe nata e dytë u shit e gjitha brenda pak orësh, duke e kthyer pritjen e publikut në një fenomen të rrallë.
Për shkak të kërkesave të shumta, Skënderaj ka njoftuar përmes një postimi në rrjete sociale se do të mbahet edhe nata e tretë dhe e fundit, më 6 dhjetor në Prishtinë. Ai e cilëson këtë interes të madh si një vlerësim të jashtëzakonshëm, të cilin e merr me shumë përgjegjësi për të sjellë më të mirën nga vetja në skenë.
“Për shumë faktorë nuk do të ketë një natë të katërt, ndaj kushdo që është i interesuar, le të mos humbasë shumë kohë nga dalja e biletave”, shkruan ndër të tjera këngëtari.
Në këtë mënyrë, publiku do të ketë mundësi të zgjedhë mes tri netëve të veçanta koncertale, më 4, 5 dhe 6 dhjetor, ku Alban Skënderaj pritet të ndezë atmosferën në Prishtinë.