AUV sqaron për parazitët në peshk: I ngriri është i sigurt për konsum

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka sqaruar sërish çështjen e pranisë së parazitëve të llojit Anisakis simplex në peshkun që importohet në Kosovë.
Sipas AUV-it, peshku i ngrirë nuk paraqet rrezik për shëndetin, sepse procesi i ngrirjes në temperatura të ulëta ua shkatërron parazitëve aftësinë për të shkaktuar sëmundje.
“rania e këtyre parazitëve nuk përbën rrezik për shëndetin e njeriut në rastin e peshkut të ngrirë, sepse procesi i ngrirjes në temperatura të ulëta i ka shkatërruar aftësinë e tyre për të shkaktuar sëmundje. Peshku i ngrirë është i sigurt për konsum, veçanërisht kur gatuhet në temperatura mbi 60°C – standard që siguron asgjësimin e çdo rreziku të mundshëm.”, thuhet në njoftim.
Agjencia sqaron se probleme mund të shfaqen vetëm në rastin e konsumimit të peshkut të freskët, të pa ngrirë dhe të pa trajtuar me nxehtësi, sidomos kur përdoret në ushqime si crudo, sushi apo sashimi.
AUV shton se këto standarde nuk janë vetëm praktika të vendeve të BE-së, SHBA-së apo Kanadasë, por edhe pjesë e legjislacionit të Kosovës, i cili është i harmonizuar me direktivat evropiane për sigurinë ushqimore.