Kongresisti amerikan pas takimit me Kurtin: Kosova është aleate e rëndësishme për paqen dhe demokracinë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në New York kongresistin amerikan nga radhët e Partisë Demokratike, George Latimer.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon, si dhe për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve dhe partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kryeministri Kurti informoi kongresistin Latimer mbi përparimin ekonomik të vendit, rezultatet në luftën kundër korrupsionit dhe përmirësimet në sundimin e ligjit, të cilat janë reflektuar pozitivisht në raportet ndërkombëtare. Ai gjithashtu shprehu mirënjohje për mbështetjen historike dhe të vazhdueshme të SHBA-së ndaj shtetit të Kosovës.
Në një postim në rrjetet sociale, kongresisti George Latimer u shpreh i nderuar që u takua me Kryeministrin Kurti, duke vlerësuar përparimin e Kosovës si një shtet i ri që ka ngritur standardet e jetesës duke ruajtur parimet demokratike.
Ai theksoi se ruajtja e lidhjeve të forta me aleatë si Kosova është mënyra më e mirë për të garantuar paqe, mirëqenie dhe demokraci në SHBA dhe jashtë saj.
“Sot pata nderin të takohesha me Kryeministrin Kurti të Republikës së Kosovës. Si një shtet i ri, Kosova ka shënuar përparim të madh në përmirësimin e standardeve të jetesës, duke ruajtur parimet demokratike. Mbajtja e lidhjeve të forta me aleatë si Kosova është mënyra më e mirë për të ruajtur paqen, mirëqenien dhe demokracinë në Amerikë dhe jashtë saj.”, ka shkruar në postim Latimer./IndeksOnline/