Njësia B2 e TC Kosova B rikthehet në operim

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se është kthyer në operim të dielën mbrëma njësia B2 e Termocentralit Kosova B.
Sipas njoftimit të lëshuar nga KEK-u, operimi ka nisur para afatit të paraparë, më 4 tetor të këtij viti.
Korporata Energjetike e Kosovës ka përfunduar me sukses projektin madhor të rehabilitimit dhe modernizimit të njërës prej turbinave në Termocentralin “Kosova B”, një ndër investimet më strategjike në sektorin energjetik të vendit.
Projekti u realizua në bashkëpunim të ngushtë me kompaninë prestigjioze General Electric dhe me përfshirjen e ekspertëve vendorë të KEK-ut.
“Ky investim ka rezultuar me rritje të konsiderueshme të kapaciteteve prodhuese dhe përmirësim të ndjeshëm të efikasitetit të sistemit, duke ndikuar drejtpërdrejt në stabilitetin dhe sigurinë energjetike të Kosovës. Përfitimet nga ky modernizim pritet të sjellin edhe kursime të konsiderueshme financiare për Korporatën, si dhe të kontribuojnë në rritjen e qëndrueshmërisë së furnizimit me energji elektrike”, theksohet në njoftim.
Sipas njoftimit, gjatë fazës së startimit të turbinës së modernizuar, në mbështetje të procesit dhe të punonjësve, të pranishëm ishin edhe Kryeshefi Ekzekutiv i KEK-ut, Gramos Hashani, së bashku me anëtarë të tjerë të menaxhmentit të lartë të Korporatës.
“Prezenca e tyre ishte një dëshmi e angazhimit dhe mbështetjes institucionale për këtë proces të rëndësishëm”, theksohet në njoftim./Indeksonline/