Maliqi: Një Serbi nën ndikimin dhe varësinë prej NATO-s dhe BE-së është mbi të gjitha në interes të Kosovës

Analisti politik, Agon Maliqi, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, s’është problem i tij shkëputja e Serbisë nga Rusia.
Maliqi ka thënë se një Serbi nën ndikimin dhe varësinë prej NATO-s dhe BE-së është mbi të gjitha në interes të Kosovës “sepse është faktor frenues ndaj agresionit dhe çelës drejt normalizimit dhe njohjes”.
Ai ka shtuar se kursi politik i SHBA-së është kurs që Kosova duhet ta inkurajojë.
“Njohja e Kosovës nuk është vetëm sfidë e brendshme e shoqërisë serbe, por edhe vijë e kuqe e Putinit për liderët serbë, sepse Rusia dëshiron ta ruajë këtë çështje të pazgjidhur për ta përdorur në pazar për negociata me perëndimin pët kërkesat e saj në Ukrainë dhe zonën ish-Sovjetike. Kursi politik i SHBA-së të cilin Kurti e përçmon hapur është në fakt kurs të cilin Kosova duhet ta inkurajojë, sepse futja e Serbisë në terrenin politik të NATO-s do të thotë futje në terrenin tonë politik dhe të botës që na njeh. Refuzimi për ta parë këtë interes si të përbashkët me perëndimin, gjasme në emër të mbrojtjes së sovranitetit dhe gogolit të “Bosnjës së dytë”, në realitet e ruan sovranitetin e Serbisë për të luajtur lojëra shantazhi me Perëndimin dhe e mban gjallë veton ruse mbi zhvillimet në Ballkan”, ka shkruar Maliqi.