75 Mall Live Search
16:42 / E Hënë, 29 Shtator 2025 / F.R

Merz: Nuk jemi në luftë, por nuk jetojmë as në paqe

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka thënë se vendi i tij nuk jeton më në paqe.

Merz e ka bërë këtë deklaratë pasi ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov, ka akuzuar Gjermaninë për “rinazifikim”.

Deklarata vjen gjithashtu ndërsa sulmet kibernetike dhe fluturimet me dronë, të dyshuar rus, prekën Gjermaninë dhe disa vende të tjera evropiane javëve të fundit.

“Ne nuk jemi në luftë, por as nuk jetojmë më në paqe”, u ka thënë Merz sipërmarrësve në një samit në Berlin të premten. 

“Kërcënimi është real”, ka shtuar ai.

Merzi nuk aludoi për një vend të caktuar si aktorin pas këtyre sulmeve, por ka renditur një gamë të tërë veprimesh armiqësore që i shkaktojnë shqetësim.

“Akte sabotimi në baza ditore. Përpjekje për të paralizuar qendrat e të dhënave. Sulme kibernetike”, ka thënë ai.

Lavrov iu kundërpërgjigj vërejtjeve të Merzit, duke thënë se “retorika militariste po rritet çdo ditë” në Gjermani.

“Shprehja e tij e famshme që ai e ka përdorur disa herë thotë se ai shtyu përpara ndryshimet kushtetuese dhe se më shumë para mund të shpenzohen për armë dhe zhvillimin e infrastrukturës ushtarake dhe potencialit ushtarak”, ka thënë Lavrov në Kombet e Bashkuara në Neë Jork.

Numri i shkeljeve serioze të hapësirës ajrore në Evropë është rritur ndjeshëm këtë muaj, përfshirë edhe nga avionët luftarakë rusë. Por jo të gjithë aleatët e NATO-s bien dakord për mënyrën se si të përgjigjen. Polonia është gati të përdorë forcë vdekjeprurëse. Të tjerë thonë se kjo duhet të jetë një zgjidhje e fundit.

Pavarësisht se kush është fajtor, udhëheqësit evropianë besojnë se Rusia po e vë në provë NATO-n.