“Më ka shkatërruar emocionalisht”, biznismeni Mustafë Grainca fiton gjyqin ndaj Dimal Bashës

Gjykata Themelore në Ferizaj ka shpallur fajtor kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, për shpifje ndaj ish-zëvendësministrit të Financave dhe biznesmenit Mustafë Grainca, duke e dënuar me një dëmshpërblim prej 25 mijë eurosh dhe detyrim për kërkim faljeje publike.
Aktgjykimi është shpallur më 22 korrik dhe vjen pas një procesi disa-vjeçar. Grainca e akuzoi Bashën për shpifje që nga viti 2019, kur ky i fundit e kishte akuzuar publikisht për keqpërdorime me prona publike në Ferizaj.
“Në kohë fushate, ai shpifi në media për një marrëveshje të paqenë. Tha se kam dëmtuar qytetin, kam vjedhur buxhetin dhe kam uzurpuar prona publike – asgjë nga këto nuk është e vërtetë,” deklaroi Grainca për Indeksonline.
Ai shtoi se këto deklarata i kanë shkaktuar dëme serioze emocionale, psikologjike dhe financiare.
“Ky më ka shkatërruar emocionalisht dhe shpirtërisht. Nuk e meriton pozitën që ka sot.”
Grainca kishte kërkuar 65 mijë euro dëmshpërblim, por gjykata e ka aprovuar shumën prej 25 mijë eurosh.
Vendimi është i shkallës së parë dhe mund të ankimohet. /Indeksonline/

