AUV-i nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Bujqësisë së Kroacisë

Sot është nënshkruar Marrëveshja e Bashkëpunimit ndërmjet Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Peshkimit të Republikës së Kroacisë nga drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Bekim Hoxha, dhe sekretari i Shtetit të Kroacisë, Tugomir Majdak.
Pas nëshkrimit të marrëveshjes, drejtori Hoxha theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje si një hap konkret drejt integrimit të mëtejshëm evropian të Kosovës në fushën e standardeve ushqimore dhe shëndetit veterinar.
Ndërsa, sekretari Majdak u shpreh i gatshëm për një bashkëpunim të ngushtë dhe afatgjatë ndërmjet dy vendeve.
Sekretari i Shtetit të Kroacisë ka ndihmuar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë në integrimin e saj në organizmat ndërkombëtarë.
Marrëveshja do të shërbejë si bazë për zhvillimin e mëtejshëm të politikave dhe iniciativave të përbashkëta që synojnë përmirësimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të kafshëve në të dy vendet.
Sipas AUV-it, qëllimet kryesore të kësaj marrëveshjeje përfshijnë: vendosjen e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë ndërmjet institucioneve përkatëse në fushën e veterinarisë dhe sigurisë ushqimore, realizimin e prioriteteve të përbashkëta përmes shkëmbimit të përvojave, njohurive dhe ekspertizës teknike, organizimin e vizitave studimore dhe trajnimeve për zyrtarë dhe profesionistë të fushës, bashkëpunimin në fushën e kërkimeve shkencore për përmirësimin e sigurisë së ushqimit dhe shëndetit të kafshëvesi dhe angazhimin për të siguruar fonde të përbashkëta dhe individuale për realizimin e projekteve të përbashkëta.
Ndërsa format e parashikuara të bashkëpunimit përfshijnë: zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve si dhe sigurisë ushqimore, bashkëpunim teknik ndërmjet laboratorëve veterinarë të të dyja vendeve, shkëmbim informacioni mbi qasjen në treg dhe procedurat e importit, pjesëmarrje të përbashkët në projekte të financuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë projektet e IPA-së si dhe organizimin e trajnimeve për ngritjen e kapaciteteve për zyrtarët përgjegjës në fushën e kontrollit dhe mbikëqyrjen e sigurisë ushqimore.