75 Mall Live Search
19:40 / E Martë, 30 Shtator 2025 / MSH

Valencia paditë Netflix-in, arsye dokumentari “Baila, Vini”

Klubi i Valencias ka paditur Netflix-in, pas një “keqinterpretimi” nga ana e tyre, në dokumentarin dedikuar sulmuesit brazilian, Vinicius Junior.

Siç raporton Sport, Valencia ka ndërmarrë veprime ligjore kundër Netflix-it dhe kompanisë së prodhimit “Conspiracao Films” për portretizimin e tyre të mbështetësve të klubit në dokumentarin “Baila, Vini”.

Valencia pretendon se fansat e ekipit janë portretizuar në një menyrë jo të drejtë, duke u shfaqur si racistë.

Mosmarrëveshja daton që nga ndeshja Valencia-Real Madrid në Mestalla, më 21 maj 2023.

Atë ditë, Vinicius denoncoi fyerjet raciste nga disa pjesë të turmës përpara se të përjashtohej më vonë gjatë ndeshjes.

Pas ndeshjes, trajneri i atëhershëm i “Mbretërve”, Carlo Ancelotti, deklaroi përpara medieve se tifozët po thërrisnin “majmun, majmun”, në drejtim të Vinit.

Por, një gjë të tillë e mohoi Valencia, duke deklaruar se thirrjet e fansave ishin “budalla, budalla” dhe duke bërë thirrje të mos manipulohet me çështjen.

Në “Baila, Vini”, një klip i ndeshjes u shfaq me titra që përfshinin fjalën “majmun” në vend të “budalla”, diçka që klubi argumenton se është si “e manipuluar dhe e rreme”.

Valencia këmbëngul se këto titra dëmtojnë padrejtësisht reputacionin e mbështetësve të tyre dhe dëshiron që ato të modifikohen si pjesë e çdo rezolute.

Klubi ka theksuar gjithashtu se ka vepruar shpejt pas incidentit. Tre tifozë u identifikuan për fyerje raciste dhe më vonë u dënuan me tetë muaj burg, së bashku me një ndalim dy-vjeçar për hyrje në stadiumet e futbollit.

Në padinë e klubit, mes të tjerash, kërkohet kompensim financiar dhe gjithashtu një korrigjim publik, i cili deri më tani nuk është dhënë.