Zyrtari amerikan: Putini po nxjerr tanket nga muzetë, forcat ruse janë shkatërruar

I dërguari i SHBA-së në Ukrainë, Keith Kellogg, është pyetur se çfarë do të duhej të bënte Presidenti rus Vladimir Putin që SHBA-të të reagonin drejtpërdrejt.
“Mendoj se llogaritja është te Putini”, ka thënë ai, shkruan A2 CNN.
“Nëse i shikoni forcat e tij ushtarake, ato janë shkatërruar plotësisht. Kur shikoni njësitë e tij në vijën e parë të frontit, ato u shkatërruan në vitin e parë të asaj lufte”, tha Kellogg më tej.
“Ai po nxjerr tanket nga muzetë për t’i çuar në vijën e frontit”, vijoi ai.
Kellogg thotë se për sa kohë që aleanca e NATO-s është shumë konsistente, nuk ka nevojë të vizatohen vija të kuqe të mëtejshme.
“Ai [Putini] e ka problemin, jo Perëndimi”, tha mes të tjerash Kellogg, shkruan A2 CNN.
“Ai duhet ta marrë atë vendim, jo Perëndimi. Perëndimi është shumë mirë i lidhur dhe unë kam besim të madh edhe tek ai”, përfundoi Kellogg.