Kosova merr presidencën e Asamblesë së Grupit Rajonal për Zhvillimin Rural në Evropën Juglindore

Republika e Kosovës ka marrë presidencën e Asamblesë së Grupit Rajonal për Zhvillimin Rural në Evropën Juglindore (SWG), për një periudhë njëvjeçare.
Presidenca për kryesimin e këtij grupi, është dorëzuar sot nga Republika e Maqedonisë së Veriut, Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, gjatë takimit të nëntëmbëdhjetë të SWG-së, i cili sivjet është duke u mbajtur në Prishtinë.
Gjatë këtij takimi, i cili organizohet nën patronazhin e përbashkët të MBPZHR-së dhe Grupit të Përhershëm Punues për Zhvillimin Rural dhe Rajonal (SWG) në Evropën Juglindore, po marrin pjesë delegacione nga i gjithë rajoni i Evropës Juglindore për diskutime në nivel të lartë mbi të ardhmen e bujqësisë dhe zhvillimit rural.
Me rastin e marrjes së presidencës, ministri në detyrë i BPZHR-së, Faton Peci ka theksuar se me përgjegjësi të plotë, Kosova tani po e merr Presidencën e Asamblesë së SWG-së dhe nën këtë mandat Kosova do të udhëheqë projekte dhe iniciativa që forcojnë bashkëpunimin tonë dhe avancojnë zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale në rajonin tonë dhe më gjerë.
Peci gjatë fjalimit të tij, ka thënë se është kënaqësi e veçantë ta presin këtë takim në Kosovë dhe të reflektojnë mbi progresin e përbashkët drejt Politikës së Përbashkët Bujqësore, si dhe hapat e ndërmarrë për të përmbushur kërkesat për anëtarësim në IPARD.
”Që nga marrja e detyrës si ministër i Bujqësisë, kam mbetur plotësisht i përkushtuar të përafroj bujqësinë, agroushqimin dhe sektorin e pylltarisë të Kosovës me standardet e Bashkimit Evropian, përfshirë respektimin e rregullave të BE-së, aplikimin e praktikave më të mira dhe harmonizimin e ligjeve, akteve nënligjore dhe rregulloreve tona me ato të BE-së. Në skemat financiare, grante dhe subvencione, fermerët e Kosovës janë mbështetur me mbi 300 milionë euro për periudhën 2021–2024. Në këtë drejtim, kemi përgatitur gjithashtu Rregulloren e brendshme të Agjencisë për Zhvillim Rural si një hap të rëndësishëm drejt akreditimit për IPARD”, ka thënë ministri në detyrë.
Po ashtu, ai ka treguar se vitin e ardhshëm, do të lansojnë gjithashtu projektin IPARD-Like, të financuar nga BE-ja, i cili do të shërbejë si një test i rëndësishëm i gatishmërisë sonë aktuale për të aplikuar procedurat e IPARD-it në praktikë, duke na ndihmuar të identifikojmë pikat e forta, të adresojmë boshllëqet dhe të ndërtojmë kapacitetin e nevojshëm për akreditimin e plotë në IPARD.
“Raportet e fundit të Komisionit Evropian për Kosovën tregojnë përparim të qartë në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Ato theksojnë arritjet nën Kapitullin 11 për bujqësinë dhe zhvillimin rural, Kapitullin 12 për sigurinë ushqimore, politikën veterinare dhe fitosanitare, si dhe Kapitullin 13 për peshkimin dhe akuakulturën, duke konfirmuar se Kosova po avancon në përputhje me kërkesat e BE-së”, tha , Faton Peci, duke shtuar se për këto kapituj, kanë përgatitur ligjet sektoriale të nevojshme plotësisht të përafruara me standardet e BE-së, kanë futur mjete digjitale monitorimi për sigurinë ushqimore si Sistemi i Kontrollit dhe Menaxhimit të Ushqimit (FCMS), si dhe kemi krijuar një inventar për peshkimin.
Në anën tjetër, Sekretari i përgjithshëm i sekretariatit të Grupit të Përhershëm për Zhvillim Rural Rajonal (SWG), Boban Iliq, në fjalimin e tij të mbajtur gjatë këtij takimi ka theksuar rëndësinë e partnerëve ndërkombëtarë në punën e SWG-së dhe se puna e tyre sipas tij nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e këtyre vendeve.
“Ka një listë të gjatë të vendeve partnere të cilat formalisht besojnë në SWG, kanë statusin e vëzhguesit, por ata janë shumë aktivë, në të vërtetë, dhe puna jonë nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e tyre, në terma të ekspertizës dhe gjithashtu burimeve të tjera dhe ndihmës së agjencive për të zbatuar filozofinë tonë. Ajo bazohet mbi themelin për të ndihmuar vendin, veçanërisht vendet e Ballkanit Perëndimor, për t’u përgatitur për integrime të reja, për të qenë në gjendje të krijojnë Kinë të re”, tha ai.
Ndryshe, agjenda e këtij takimi do të fokusohet në zhvillimet drejt CAP-it dhe zbatimit të IPARD-it, në kontekstin e integrimit evropian, si dhe në shqyrtimin e bashkëpunimit rajonal në sektorin agro-ushqimor në kuadër të SWG-së. Gjithashtu, do të prezantohen dhe diskutohen konkluzionet e Forumit të Politikave Bujqësore “Agjenda e Ohrit 2025”.