Lirohet nga masa e paraburgimit kolonel Nexhmi Krasniqi

Gjykata Themelore në Prizren ka marrë sot aktvendim për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj kolonel Nexhmi Krasniqit dhe tre të arrestuarve të tjerë, të cilët po ndiqen penalisht për veprën penale “Detyrimi”.
Lajmin për IndeksOnline e ka konfirmuar avokati i Krasniqit, Besnik Berisha.
“Po është liruar nga masa e paraburgimit. Vendimi i është konfirmuar edhe Qendrës Korrektuese. Tashmë masa e caktuar është prej 1 muaji arrest shtëpiak. Sigurisht edhe kjo masë do të shqyrtohet dhe do të apelojmë që të hiqet si masë”, ka thënë Berisha në një prononcim për IndeksOnline.
Kolonel Nexhmi Krasniqi u arrestua më 4 gusht, nga një aksion i përbashkët i Prokurorisë Themelore të Prizrenit dhe Inspektoratit Policor. Aksioni u realizua në katër lokacione, prej të cilit u arrestuan katër të dyshuar, në mesin e të cilëve ishte edhe Krasniqi.
Krasniqi është i dyshuar për veprën penale të detyrimit. E gjithë ngjarja dyshohet se lidhet me një pronë për të cilën janë dhënë mijëra euro në formë të detyrimit.