75 Mall Live Search
14:42 / E Mërkurë, 01 Tetor 2025 / KV

Vrasja e Avni Ajetit në Debëllde, vetdorëzohet në polici i dyshuari Jetulla Isufi (Video)

Një ngjarje tragjike që tronditi opinionin publik në Viti ka marrë zhvillime të reja. Pas më shumë se dy javësh në arrati, është arrestuar i dyshuari për vrasjen e rëndë në Debëllde, Jetulla Isufi, raporton IndeksOnline.

Ngjarja ndodhi më 18 shtator 2025, kur viktima Avni Ajeti u qëllua me dy plumba nga kushëriri i tij, Jetulla Isufi. Konflikti mes tyre kishte nisur pasi Ajeti kishte prerë gabimisht një lis në pronën e Isufit. Ky i fundit i kishte kërkuar sqarime, falje dhe kompensim, por sipas dëshmive, më pas e kishte qëlluar tinëzisht në oborrin e shtëpisë së tij.

Isufi ishte në arrati që disa ditë, ndërsa Policia e Kosovës zhvilloi hetime të vazhdueshme, intervista dhe kontrolle në lokacione të ndryshme, duke ushtruar presion që besohet se çoi në dorëzimin e tij më 1 tetor 2025.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Gjilan ka punuar intensivisht me masa të veçanta hetimore dhe kontrolle të përsëritura. Si rezultat, i dyshuari J.I. (1987), mashkull kosovar, është dorëzuar dhe arrestuar.

Ai është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë në qendrën e mbajtjes. Hetimet e mëtejshme po vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë e Shtetit./IndeksOnline/

Jetulla Isufi