Moti i keq në verilindje të Shqipërisë, reshje bore në zonat malore

Një valë e re e motit të keq ka përfshirë territorin shqiptar, me intensitet më të lartë në zonat verilindore të vendit, ku janë regjistruar reshje të dendura shiu dhe dëbore, raporton Euronews Albania.
Në zonat malore mbi 1000 metra mbi nivelin e detit, reshjet kanë rënë kryesisht në formë bore. Njësitë administrative të thella si Shishtaveci, Zapoti, Topojani, Gryk-Qaji, Arreni dhe Kalisi janë zbardhur nga bora, duke sjellë një pamje tipike dimërore.
Deri tani, nuk janë raportuar probleme në qarkullim apo furnizim me energji, por autoritetet apelojnë për kujdes nga drejtuesit e mjeteve për shkak të lagështisë dhe mundësisë së formimit të akullit në rrugë.
Sipas parashikimeve, moti pritet të përkeqësohet edhe gjatë ditës së premte, kur reshjet do të jenë më intensive. Përmirësimi i kushteve atmosferike parashikohet të nisë të shtunën, kur pritet ndërprerja graduale e reshjeve.