Jon Hoti i dënuar për vrasjen e dy kushërinjve kërkon ulje dënimi, familjarët: Na ka mbytë për së gjalli

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur sot seanca për shqyrtimin e kërkesës së Jon Hotit për zbutje të dënimit prej 24 vjet e 6 muaj burgim, të cilin e kishte marrë më parë për vrasjen e dy kushërinjve të tij, Albison dhe Rexhep Shlivova.
Hoti, i cili kishte pranuar fajësinë për veprën penale “vrasje e rëndë”, po kërkon tash ulje të dënimit, duke u thirrur në rrethana lehtësuese dhe bashkëpunim me drejtësinë.

Kjo kërkesë ka ngjallur reagim të fortë nga familjet e viktimave, të cilët përmes IndeksOnline kanë shprehur indinjatën e tyre, duke e cilësuar të papranueshme çdo përpjekje për zbutje të dënimit.
Sefer Shlivova, babai i Albison Shlivovës, e ka quajtur të padrejtë dhe të pafalshme kërkesën e Hotit.
“Ky vetëm dënim nuk është, ka vrarë dy persona, dy djem të rinj. Dhe këta tash dalin e kërkojnë ulje të dënimit, këtu nuk ka fjalë për këtë punë. Por, këtu gjithçka mundet me ndodh. Ky edhe dënimin që ka marrë është shumë i vogël, por nëse e shohin të arsyeshme, le ta lirojnë krejt, edhe ashtu na ka mbytë për së gjalli”, tha ai në një prononcim për IndeksOnline.
Slivova përmend faktin se po e vuajnë kaq shumë mungesen e djalit të tyre, i cili u privua nga jeta pa asnjë arsye.
“Ne si familje po e vuajmë sa nuk thuhet me fjalë mungesën e djalit tonë. Ai na ka marrë djalin në lulen e rinisë, për neve është dhimbje e papërshkrueshme. Dy familje jemi të zhgënjyer dhe tejet shumë po e vuajmë mungesën e djemve tanë. E këta me u qu me kërku ulje të dënimit, nuk di!”

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur fajtor Jon Hotin për vrasjen e Albison dhe Rexhep Shlivovës, duke e dënuar atë me 24 vite e 6 muaj burgim. Ngjarja tragjike kishte ndodhur më 13 nëntor të vitit 2024 në qytetin e Klinës.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, Hoti me dashje ka privuar nga jeta dy viktimat duke përdorur armë zjarri, në një lokal në qendër të qytetit, rreth orës 14:11. Ai kishte kontaktuar paraprakisht viktimat përmes rrjetit social Facebook dhe kishte lënë një takim me ta, duke pretenduar se dëshironte të diskutonte për çështje pronësie.
Në momentin e takimit, Hoti ishte ulur në të njëjtën tavolinë me viktimat. Pas një bisede të shkurtër, ai u ngrit në këmbë dhe papritur hapi zjarr ndaj tyre. Gjatë atentatit, në lokal ishin të pranishëm edhe persona të tjerë, të cilët u vunë në rrezik serioz për jetën. Vëllai i njërës prej viktimave, dëshmitari E.Sh, ndërhyri për të ndalur sulmin duke u përplasur me Hotin, çka rezultoi në rënien e armës në dysheme. Pas këtij momenti, i pandehuri u largua nga vendi i ngjarjes.
Në seancën e parafundit, Jon Hoti pranoi fajësinë për veprën penale “vrasje e rëndë”. Dënimi i shpallur sot konsiderohet një ndër më të rëndët për këtë lloj krimi në rajon. Grupi hetimor ka mbyllur të gjitha procedurat lidhur me rastin.