Arratisja e serbit nga burgu në Mitrovicë mbetet mister, gati 2 muaj në arrati

Po bëhen gati dy muaj që nga arratisja e Đorđe Radomirović, një i dënuar serb me 14 vjet e 6 muaj burgim për vrasje, tentim vrasjeje, armëmbajtje pa leje, posedim narkotikësh dhe falsifikim dokumentesh, i cili u largua nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicën e Veriut më 7 gusht të këtij viti, transmeton IndeksOnline.
Radomirović ishte i kategorizuar si i avancuar dhe në momentin e arratisjes, ishte duke punuar në hapësirat e punëtorisë brenda institucionit korrektues.
Ai gjithashtu ishte pjesë e listës së të burgosurve që potencialisht mund të përfitonin lirimin me kusht. Nga dënimi total, atij i kishin mbetur vetëm 3 vjet e 7 muaj.
Shërbimi Korrektues i Kosovës pati pezulluar menjëherë nga detyra drejtorin e Qendrës së Paraburgimit, një mbikëqyrës të lartë dhe dy zyrtarë korrektues. Hetimet e brendshme janë në zhvillim për të sqaruar mënyrën e arratisjes dhe përgjegjësitë e mundshme.
Menjëherë pas konstatimit të mungesës së tij, janë aktivizuar të gjitha procedurat e brendshme dhe janë njoftuar institucionet relevante të sigurisë.
Shërbimi Korrektues ka theksuar se do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të adresuar këtë rast, në përputhje me ligjin, megjithatë arratisja e tij vazhdon të mbetet ende mister. /IndeksOnline/