Shpërthim i fuqishëm në një rafineri nafte në Los Angeles

Një shpërthim i fuqishëm në rafinerinë e kompanisë Chevron në zonën El Segundo, pranë aeroportit ndërkombëtar, ka shkaktuar një zjarr të madh që u pa nga kilometra larg në gjithë qytetin e Los Angelesit.
Zjarri shpërtheu rreth orës 21:35 me orën lokale, kur banorët përreth raportuan se kishin dëgjuar një shpërthim të fortë dhe lëkundje të mëdha.
Autoritetet kanë konfirmuar se për momentin nuk ka të lënduar, ndërsa banorëve përreth u është kërkuar të qëndrojnë brenda dhe të mbajnë dritaret të mbyllura për shkak të tymit dhe rrezikut të ndotjes.
Rafineria ndodhet shumë pranë aeroportit “LAX”, por sipas kryetares së bashkisë së Los Angelesit, Karen Bass, “nuk ka ndonjë ndikim në funksionimin e aeroportit”. Edhe autoritetet e “LAX”-it kanë deklaruar se fluturimet po vazhdojnë normalisht.
Hetimet për shkaqet e zjarrit janë në vazhdim, ndërsa autoritetet mbeten në gatishmëri për çdo zhvillim të mëtejshëm. (A2 Televizion)