75 Mall Live Search
10:38 / E Premte, 03 Tetor 2025 / H F

Gati një muaj nga vrasja në Podujevë, i dyshuari Arbër Havolli ende në arrati

Kanë kaluar pothuajse katër javë nga ngjarja tragjike që tronditi komunën e Podujevës.

Më 6 shtator të këtij viti, në mbrëmje, në fshatin Llapashticë ndodhi një vrasje e rëndë, ku viktima, Bashkim Spahiu, nga fshati Gllamnik, dyshohet se u qëllua për vdekje me armë zjarri, transmeton IndeksOnline.

I dyshuari kryesor për këtë vepër, Arbër Havolli, ndodhet ende në arrati. Pavarësisht hetimeve të vazhdueshme dhe kërkimeve të intensifikuara nga ana e Policisë së Kosovës, ai ende nuk është lokalizuar.

 Policia e Kosovës, javë më parë përmes Drejtorisë Rajonale në Prishtinë, ka shpallur në kërkim Havollin dhe ka bërë thirrje publike për ndihmën e qytetarëve në identifikimin e vendndodhjes së tij.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se hetimet lidhur me këtë rast janë ende në zhvillim.

Vrasja e Bashkim Spahiut është cilësuar nga autoritetet si një akt i rëndë penal dhe sjellja e të dyshuarit para drejtësisë është prioritet i institucioneve hetimore dhe gjyqësore.