75 Mall Live Search
10:54 / E Premte, 03 Tetor 2025 / b l

Gërvalla pret në një takim delegacionin e drejtuesve të institucioneve të zbatimit të ligjit nga Iowa

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, priti në një takim delegacionin e drejtuesve të institucioneve të zbatimit të ligjit nga Iowa që po viziton Kosovën.

Ministrja Gërvalla njoftoi delegacionin nga Iowa për progresin e vazhdueshëm të Kosovës në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit në të gjithë territorin, i konfirmuar edhe nga raportet kredibile ndërkombëtare, të cilat e vendosin Republikën e Kosovës në krye të renditjeve në Evropë dhe në botë sa i takon sigurisë.

Duke iu referuar rezultateve konkrete që janë arritur në bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Iowas deri tani, ministrja Gërvalla shprehu mbështetjen e plotë për thellimin dhe zgjerimin e mëtejshëm të partneritetit, duke përfshirë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të zbatimit të ligjit, si një komponent i rëndësishëm dhe me potencial në këtë aspekt.

Ministrja Gërvalla theksoi poashtu mirënjohjen e përhershme të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj për mbështetjen e gjithanshme të institucioneve qendrore e lokale, si edhe të miqve të shumtë të Kosovës në Iowa dhe më gjerë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Duke falënderuar përzemërsisht gjeneralmajorin (në pension) Timothy Orr, i cili ishte i pranishëm në takim, për përkushtimin e tij, ministrja Gërvalla shprehu gjithashtu mirënjohje të veçantë për Gardën Kombëtare të Iowas për përkrahjen e vazhdueshme në ndërtimin e kapaciteteve, bashkëpunimin dhe avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.