Darka luksoze me nënën e Yamal! Zarandona: Nuk është ajo organizatore, është për bamirësi

Darka me nënën e Lamine Yamal-it do të jetë për bamirësi. Ish-futbollisti Zarandona ka zbardhur detaje nga ceremonia ku një biletë vlen 800 euro duke shtuar se nëna e yllit të barcelonës është vetëm e ftuar dhe jo organizatore.
Një mbrëmje e reklamuar në Londër si mundësia për të darkuar me nënën e Lamine Yamal-it, ka shkaktuar shumë debat në medie dhe rrjetet sociale.
Ish-futbollisti Benjamín Zarandona, që ka luajtur për Valladolid-in, Betis, Cádiz dhe Xerez, ka sqaruar se Sheila Ebana, nëna e talentit të Barcelonës, nuk është organizatore e këtij eventi, por thjesht e ftuar.
Në një intervistë për programin El Larguero, Zarandona tha se gjithçka nisi nga kompania e eventeve, e cila e kontaktoi atë si ndërmjetës, pasi kishte vite që organizonte darka bamirësie.
“Më kontraktuan mua si ish-futbollist dhe unë u lidha me nënën e Lamine Yamal-it. Ne ofruam kushtet dhe ata i pranuan. Ajo shkon vetëm si e ftuar”, theksoi Zarandona.
Eventi, i quajtur Football Fans Christmas Party, ishte promovuar me sloganin: “Mos humb mundësinë për të njohur nënën e futbollistit më të mirë në botë”.
Zarandona shpjegoi se organizatorët do të vendosin çmimet dhe synojnë të mbulojnë shpenzimet e darkës, ndërsa Sheila Ebana do të jetë pjesë e saj vetëm si e kontraktuar.
Ndërkohë, për shkak të kërkesës së lartë, organizatorët njoftuan se darka, e planifikuar për 7 nëntor, është zhvendosur në një hotel më qendror – The Leonardo Royal Hotel London City.
Biletat e blera mbeten të vlefshme, ndërsa atyre që nuk mund të marrin pjesë për shkak të ndryshimit të vendit, do t’u bëhet rimbursimi.