75 Mall Live Search
16:14 / E Premte, 03 Tetor 2025 / F.R

​Gjykata sot do të shqiptojë dënimin për Diddy

Sean “Diddy” Combs do të dalë të premten përpara një gjykatësi federal në Manhattan për t’u dënuar, pas shpalljes fajtor më herët këtë vit mbi akuza federale të lidhura me prostitucionin.

Pas një gjyqi tetë-javor që përfundoi në korrik, juria e shpalli të pafajshëm Combs për akuzat më të rënda trafikim seksual dhe komplot për zhvatje.

Megjithatë, ai u shpall fajtor për dy akuza për transportimin e personave për prostitucion. Tani gjykatësi Arun Subramanian ka detyrën të vendosë dënimin. Seancat pritet të nisin në orën 10 të mëngjesit me kohën e Nju Jorkut.

Combs ishte akuzuar se kishte ushtruar presion ndaj dy partnereve të mëparshme për t’i përfshirë në marrëdhënie seksuale të shoqëruara me droga dhe me prostituta të paguara.

Një dënim për akuzat më të rënda mund ta kishte çuar atë në burgim të përjetshëm, shkruan Guardian. Kur u shpall i pafajshëm për ato akuza, ai ra në gjunjë për të falënderuar Zotin.

Avokati i tij tha se “i ishte kthyer jeta”. Megjithatë, vendimet e fajësisë që mori mbartin secila deri në 10 vjet burg sipas Aktit Mann, që ndalon kalimin e kufijve shtetërorë për të lehtësuar prostitucionin.

Prokurorët e përshkruajnë sjelljen e tij si shkelje të rënda, ndërsa mbrojtja i ka hedhur poshtë akuzat duke i quajtur “akuza rezervë” që nuk duhej të kishin kaluar fare në gjykim.