75 Mall Live Search
17:23 / E Premte, 03 Tetor 2025 / MSH

Ndërprerja e energjisë në Spanjë dhe Portugali, “e para e këtij lloji”

Një rritje e tensionit elektrik që shkaktoi një ndërprerje të gjerë të energjisë në Spanjë dhe Portugali ishte “më e rënda” në Evropë gjatë 20 vjetëve të fundit dhe e para e këtij lloji, sipas një raporti të publikuar, njofton BBC.

Damian Cortinas, president i Shoqatës së operatorëve të rrjetit elektrik Entso-e, tha se incidenti ishte ndërprerja e parë e njohur që shkaktohej nga mbitensioni, që ndodh kur ka shumë voltazh elektrik në një rrjet.

“Ky është territor i ri”, tha Cortinas, duke shtuar se roli i Entso-e ishte “të mos japë faj për asnjë palë” lidhur me shkakun.

Ndërprerja e prillit shkaktoi çrregullime të mëdha për gati një ditë, duke zhytur zona në errësirë, ndërprerë internetin dhe lidhjet telefonike, dhe ndalur transportin. Ndërprerja preku pjesë të mëdha të Spanjës dhe Portugalisë, dhe përkohësisht jugperëndimin e Francës, transmeton KosovaPress.

Raporti, i publikuar të premten, përqendrohej te gjendja e sistemeve të energjisë elektrike në ditën e ndërprerjes dhe sekuenca e ngjarjeve që çuan deri tek ajo.

Një seri “mbitensione të kaskadës” – një rritje e voltazhit elektrik mbi normën e vendosur – ishte shkaku i ndërprerjes, përfundoi raporti.

Mbitensioni mund të shkaktohet nga shpërthime në rrjete për shkak të furnizimit të tepërt ose rrufeve, ose kur pajisjet mbrojtëse nuk janë të mjaftueshme.

Sipas raportit, planet automatike të mbrojtjes u aktivizuan, por nuk mundën të parandalonin fikjen e sistemit elektrik.

Raporti vjen pas disa hetimeve dhe raporteve të veçanta nga qeveria spanjolle, si dhe kompanitë e energjisë dhe rrjetit. Rregullatori kombëtar i energjisë dhe ligjvënës spanjollë gjithashtu po zhvillojnë hetime të veçanta.

Qeveria spanjolle beson se raporti i Entso-e mbështet gjetjet e saj. Sara Aagesen, ministre për tranzicionin ekologjik, tha se raporti ishte “plotësisht në përputhje” me rezultatet e një hetimi të saj, i cili përfundoi në qershor dhe arriti në përfundimin se Red Eléctrica, ofruesi kombëtar i rrjetit, dhe kompanitë private të energjisë ishin fajtorë.

Tanto Red Eléctrica, sa edhe kompanitë private kanë insistuar se nuk janë fajtorë. Redeia, pronari i Red Eléctrica, ka fajësuar ndërprerjen e energjisë për mosveprimet e disa centralëve të qymyrit, gazit dhe energjisë bërthamore për të ruajtur voltazhin e duhur.

Kompani të energjisë spanjolle thanë se shkaku ishte planifikimi i dobët nga operatorët e rrjetit.

Raporti i Entso-e gjithashtu tha se disa të dhëna të rëndësishme mungonin dhe se “mbledhja e të dhënave të plota dhe cilësore ishte shumë sfiduese për këtë hetim”.

Një raport përfundimtar, që do të publikohet në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm, do të hetojë shkakun rrënjësor të mbitensionit dhe veprimet e ndërmarra për kontrollin e voltazhit në sistem.

Ndërprerja nxiti një debat më të gjerë që u zhvendos edhe në arenën politike mbi modelin e energjisë në Spanjë.

Opozita sugjeroi se një varësi në rritje ndaj energjisë së rinovueshme, promovuar nga qeveria e majtë e Pedro Sánchez, mund të ketë qenë një faktor që shkaktoi ndërprerjen, dhe se furnizimi në ulje i energjisë bërthamore e bëri të pamundur sigurimin e një rezervë të besueshme.

Qeveria i hodhi poshtë këto teori, dhe raporti i ri ishte i kujdesshëm të mos marrë anë lidhur me shkaqet e ndërprerjes së paparë të prillit.