Samsung do të mundësojë zbulimin e problemeve kardiovaskulare nëpërmjet orës inteligjente

Samsung tha se po punon për t’u bërë kompania e parë në botë, që do t’u mundësojë orëve inteligjente të zbulojnë dhe monitorojnë mosfunksionimin sistolik të ventrikulit të majtë (LVSD).
Kjo gjendje serioze kardiovaskulare është përgjegjëse për afërsisht 50 përqind të të gjitha rasteve të pamjaftueshmërisë kardiake, dhe është më vdekjeprurëse se disa lloje kanceri.
Prandaj, zbulimi i hershëm i problemit është çelësi për të zvogëluar rrezikun e vdekjes dhe për të zvogëluar shtrimet në spital.
Samsung do të përdorë algoritme të inteligjencës artificiale të zhvilluara në bashkëpunim me kompaninë koreano-jugore Medical AI, e cila specializohet në pajisjet mjekësore EKG bazuar në teknologjinë AI.
Algoritmet u zhvilluan bazuar në algoritmin e brendshëm të Medical AI për analizimin e EKG-ve me 12 lidhje, i cili tashmë është zbatuar në më shumë se 100 spitale të mëdha në Korenë e Jugut dhe përdoret nga më shumë se 120,000 pacientë në muaj.
Teknologjia mundëson shqyrtimin e hershëm të individëve asimptomatikë dhe gjithashtu synon të zvogëlojë kostot e kujdesit shëndetësor, që lidhen me pamjaftueshmërinë kardiake duke promovuar diagnozën e hershme dhe trajtimin në kohë.
Samsung ka bashkëpunuar gjithashtu me Departamentin e Inxhinierisë Biomjekësore të Universitetit Hanyang, për të zhvilluar një pajisje prototipi EEG të veshur në vesh që synon të kapërcejë kufizimet e sistemeve tradicionale EEG duke ofruar një “dizajn elegant dhe ergonomik që mundëson monitorimin e përsosur të valëve të trurit jashtë mjediseve laboratorike.
Pajisja regjistron sinjale me cilësi të lartë nga elektroda të vendosura strategjikisht rreth veshit.
Prototipi “tregoi potencial të fortë aplikimi në botën reale”, duke përfshirë zbulimin e saktë të përgjumjes në kohë reale dhe analizën e valëve të trurit të AI-së për të identifikuar preferencat e videove të pjesëmarrësve me saktësi 92.86 përqind, kjo e fundit “tregon aplikime të mundshme në neuromarketingun dhe argëtimin”.