Bisedimet e paqes mes Izraelit dhe Hamasit do të rifillojnë në Egjipt

Negociatat për një marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit pritet të rifillojnë në Egjipt në ditët në vijim, pasi grupi pranoi të lirojë të gjithë pengjet e mbetura, por tha se dëshironte bisedime të mëtejshme për çështje të tjera.
Hamasi ishte nën presion për të pranuar të paktën disa pika të planit të presidentit Donald Trump për Gazën, shkruan BBC.
Por mbeten pikat kryesore të ngërçit, duke përfshirë çarmatimin e grupit, një afat kohor për tërheqjen e Izraelit dhe garancitë se Izraeli nuk do ta rifillojë luftën pasi pengjet të lirohen.
Në qytetin e Gazës, ka pasur sulme ajrore të reja pavarësisht thirrjes së Trumpit që Izraeli të ndalojë bombardimin e territorit.
Presidenti Trump është përfshirë personalisht në negociata dhe po ushtron presion që lufta të përfundojë. Ekziston një vrull i madh për një marrëveshje – por kjo nuk është garanci se një e tillë do të arrihet.
Ndryshe, Hussein al-Sheikh, nënkryetar i Autoritetit Palestinez (AP), ka mirëpritur “njoftimin e Trumpit për ndërprerjen e luftës dhe deklaratat pozitive të Hamasit”.
Në një postim në X, ai gjithashtu thotë se AP është gati të punojë drejt armëpushimit, lirimit të pengjeve dhe të burgosurve, hyrjes së ndihmës humanitare në Gaza, “tërheqjes së plotë izraelite nga Rripi i Gazës dhe kalimit në një rrugë politike mbi bazën e zgjidhjes me dy shtete”.