75 Mall Live Search
18:47 / E Shtunë, 04 Tetor 2025 / BA

Izraeli nuk i ndal sulmet në Gaza pavarësisht thirrjes së Trump, disa palestinezë humbin jetën nga bombardimet

Ditën e shtunë kanë vijuar sulmet izraelite në territorin e Gazës edhe pse presidenti amerikan, Donald Trump ka bërë thirrje për ndalimin e tyre.
Këto sulme kanë ardhur pas dakordësimit të Hamasit për lirimin e pengjeve izraelite dhe pasi këta të fundit, kanë shprehur gatishmërinë për të negociuar në lidhje me planin e paqes së propozuar nga Trump.

Sipas autoriteteve lokale, është bërë me dije se bombardimet kanë ndodhur disa orë pasi presidenti amerikan kishte njoftuar qendrimin e Hamasit për negociata.

Ndërkaq, nga sulmet janë vrarë rreth gjashtë persona në të gjithë Gazën, teksa Forcat Mbrojtëse izraelite kanë thënë se një pjesë e madhe e enklavës kanë mbetur në një zonë të rrezikshme lufte.

Për sa i përket viktimave, bëhet fjalë për katër persona të vrarë në një shtëpi në qytetin e Gazës, ndërsa dy të tjerë janë vrarë në Khan Younis.

Sulmet erdhën pasi Hamasi të premten ra dakord për lirimin e të gjithë pengjeve izraelite, të gjallë ose të vdekur, dhe shprehu gatishmëri për të negociuar përmes ndërmjetësve mbi planin 20-pikësh të Trump për paqen.

Nga ana tjetër, zyra e Kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanyahu, ditën e sotme ka thënë se Izraeli po përgatitej “të zbatonte menjëherë fazën e parë të planit të Trump për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve”.