75 Mall Live Search
11:01 / E Diele, 05 Tetor 2025 / Burim

Netanyahu: Shpresoj që lirimi i pengjeve të bëhet i ditur brenda ditësh

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se shpreson të bëjë të ditur shpejt lirimin e pengjeve që po mbahen në Gazë.

Përmes një deklarimi televiziv, ai ka thënë se “Hamasi do të çarmatoset dhe Gaza do të çmilitarizohet – qoftë përmes rrugës së lehtë apo të vështirë, por kjo do të arrihet”.

Hamasi është grup palestinez i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqi tjera.

Këto komente kanë ardhur pasi Hamasi e ka lëshuar një deklaratë të premten, duke thënë se është pajtuar për t’i liruar pengjet, sipas planit amerikan për paqe, por nuk e ka përmendur çarmatimin dhe ka kërkuar të negociojë në disa pika.

Hamasi ka thënë të shtunën se Izraeli po vazhdon të kryejë “masakra” pasi e ka goditur Gazën qysh në mëngjes, dhe ka bërë thirrje për presion global ndaj Izraelit.

Bisedimet indirekte për armëpushim pritet të nisin të hënën në Egjipt.

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se “nuk do të tolerojë vonesa” nga Hamasi për të respektuar marrëveshjen.

Ai ka thënë më vonë se Izraeli “është pajtuar për fazën fillestare të tërheqjes”, që duket se është referencë për largimin e trupave ushtarake, sipas planit amerikan.

Plani prej 20 pikash propozon përfundimin e luftimeve dhe lirimin e 20 pengjeve të gjalla izraelite të mbajtura nga Hamasi, si dhe trupat e pengjeve tjera që kanë vdekur, në këmbim me qindra palestinezë që mbahen në burgjet izraelite.

Autoritetet palestineze kanë raportuar për sulme izraelite në Gazë të shtunën, pavarësisht se Trumpi i ka thënë Izraelit që t’i ndalë menjëherë bombardimet.

Ministria e Shëndetësisë në Gazë ka thënë se 66 persona janë vrarë nga operacionet ushtarake izraelite në 24 orët e fundit.

Lufta është nxitur nga sulmet e militantëve të Hamasit më 7 tetor 2023 në jug të Izraelit, duke vrarë rreth 1.200 njerëz dhe duke marrë peng 240 të tjerë.

Si pasojë e ofensivës së nisur nga Izraeli për shkatërrim të Hamasit kanë vdekur më shumë se 66.000 palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë.

Sipas grupeve ndërkombëtare të ndihmës, situata humanitare në Gazë është shumë e rëndë dhe palestinezët po vuajnë nga zia e bukës. /REL/