Shoqëria civile numëron pasojat nga mungesa e krijimit të institucioneve

Në mungesë të krijimit të institucioneve, vendi do të vazhdojë të përballet me pasoja të brendshme dhe të jashtme. Kështu ka vlerësuar në një intervistë për Ekonomia Online, hulumtuesi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj.
Ai ka hedhur kritika ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për qasjen në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Tani më pasojat do të jenë dy, mund të themi në dy rrafshe, ku Kosova është pa përfaqësim diplomatik aktiv, pa një Ministri të Punëve të Jashtme, pa një kryeministër fuqiplotë, legal dhe legjitim, të cilin e dimë që nuk e pret askush dhe nuk i shkon askush në zyrë për t’u takuar dhe për të diskutuar rreth problemeve dhe zgjerimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ndërkohë, në rrafshin e brendshëm, Kosova është duke çaluar te përfaqësimi ose te pasojat në paralizim të disa institucioneve të pavarura kushtetuese, siç është KPM, Bordi i RTK-së, disa anëtarë të Fondit të Kursimeve të Kosovës, dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, pesë zëvendës të Avokatit të Popullit, vetë Avokati i Popullit të cilit i ka skaduar mandati në shtator të këtij viti. Në anën tjetër, tek një rrafsh tjetër që mund ta ndajmë në dy aspekte, në aspektin financiar të jashtëm, Kosova ende nuk ka marrë asnjë të hollë nga BE në planin e rritjes në shumë prej 800 milionë euro”, ka deklaruar Jakaj.
Në aspektin financiar, Jakaj theksoi se mungesa e Qeverisë e bën të pamundur miratimin e ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026.
“Tani kemi hyrë në muajin tetor ku qeveria do të duhej të votonte ligjin për ndarjet buxhetore në fund të këtij viti dhe t’ia dërgojë Kuvendit. Aktualisht nuk mundet të miratojë asnjë ligj për ndarjet buxhetore për vitin e ardhshëm për arsye se nuk është as legale, as legjitime që të mund ta dërgojë dhe ta procedojë një ligj të tillë në Kuvend”, shtoi ai.
Ai kritikoi edhe raportet me SHBA-të, duke theksuar pezullimin e dialogut strategjik si pasojë e qëndrimeve të Kryeministrit Kurti, i cili sipas tij po dëmton marrëdhëniet jetike për Kosovën.
Jakaj teksa e kritikoi Kurtin për deklaratat e tij për Amerikën, ai tha se kët marrëdhënie qeveritë e kaluara kanë bërë çmos që t’i ruajnë si sytë e ballit marrëdhëniet.
“Pra pasoja politike, diplomatike dhe financiare të cilat barrën do ta përjetojnë më shumë qytetarët sesa klasa politike në vend. Kërkesa e SHBA-së dhe BE-së, por edhe akterëve të tjerë ndërkombëtarë, ka qenë që Kosova të formojë Kuvendin më shpejt dhe të formojë një qeveri të re që do t’u përgjigjet kërkesave aktuale, rajonale dhe globale, duke përfshirë çështjen e sigurisë. Ndërkohë, Kosova nuk iu është përgjigjur me precizitet dhe, kur iu është përgjigjur, ka bërë më shumë probleme sesa që ka zgjidhur çështje të cilat i ka dhe do të duhej t’i kishte në bashkërendim, ta zëmë me SHBA-të. E kemi parë së fundmi kur SHBA-të kanë pezulluar dialogun strategjik me Kosovën, një çështje për të cilën përgjegjëse është qeveria e Kosovës, sepse kjo ambasadë këtu në Kosovë me Departamentin e Shtetit kanë treguar me emër të përveçëm se cili është ai person që është duke minuar dhe cenuar këtë proces, vetë kryeministri Kurti, i cili nuk është duke e bërë hesap një marrëdhënie për të cilën Kosova dhe qytetarët e saj dhe elitat e kaluara kanë bërë çmos që ta ruajnë si sytë e ballit këtë marrëdhënie”, theksoi hulumtuesi.