75 Mall Live Search
21:43 / E Diele, 05 Tetor 2025 / F.R

Bisedimet për lirimin e pengjeve në Gaza pritet të nisin të hënën në Egjipt

Bisedimet për një marrëveshje të re për lirimin e pengjeve dhe paqen në Gaza pritet të nisin nesër në qytetin bregdetar egjiptian Sharm el-Sheikh, pasi Egjipti ka rënë dakord të presë delegacionet nga Izraeli dhe Hamasi, konfirmuan burime zyrtare.

Delegacioni izraelit do të drejtohet nga Ministri i Çështjeve Strategjike Ron Dermer, ndërsa në bisedime do të marrë pjesë edhe i dërguari amerikan Steve Ëitkoff, në një format negociatash tërthorazi, ku palët nuk takohen drejtpërdrejt.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se shpreson të njoftojë lirimin e pengjeve të mbetura në Gaza “brenda ditëve në vijim”, ndërsa Hamasi ka bërë të ditur se është i gatshëm të kthejë të gjithë pengjet – të gjallë dhe të vdekur.

Në një deklaratë zyrtare, Hamasi konfirmoi gjithashtu gatishmërinë për të marrë pjesë në negociatat që prekin fazat e mëtejshme të planit të paqes të propozuar nga Presidenti amerikan Donald Trump.

Rubio: “Faza e dytë do të jetë më e vështira”

Duke folur për rrjetin amerikan NBC, Sekretari i Shtetit në administratën Trump, Marco Rubio, tha se Hamasi ka rënë dakord “në parim” me kushtet për periudhën pas përfundimit të luftës në Gaza, por paralajmëroi se faza e dytë e marrëveshjes – çarmatimi dhe shpërbërja e Hamasit – do të jetë e vështirë.

“Shumë shpejt do ta kuptojmë nëse Hamasi është serioz apo jo, varësisht nga mënyra se si shkojnë këto bisedime teknike rreth logjistikës,” tha Rubio.