Nisin bisedimet në Egjipt për paqe në Gaza, Trump e çon dhëndrrin në takim

Përpara një armëpushimi të pritur në konfliktin e Gazës, përfaqësuesit e Izraelit dhe grupit islamik Hamas do të takohen në Egjipt sot për të diskutuar një plan paqeje të propozuar nga Presidenti i SHBA-së Donald Trump.
Ata do të përpiqen të finalizojnë një marrëveshje bazuar në planin 20-pikësh që Trump njoftoi një javë më parë.
Ministria e Jashtme e Egjiptit tha se fokusi fillestar i bisedimeve, të cilat do të zhvillohen nëpërmjet ndërmjetësve, do të jetë arritja e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve të mbetura të mbajtura nga militantët në Gaza në këmbim të të burgosurve palestinezë në Izrael.
Hamasi njoftoi se një delegacion i udhëhequr nga negociatori i tij me përvojë Khalil al-Haja do të udhëtojë për në takim në Sharm el-Sheikh në Detin e Kuq , ndërsa delegacioni izraelit do të udhëhiqet nga Ministri për Çështje Strategjike Ron Dermer.
I dërguari special Steve Witkoff dhe dhëndri i Trump, Jared Kushner, po marrin pjesë nga pala amerikane.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu theksoi se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara janë të vendosura t’i kufizojnë negociatat indirekte me Hamasin vetëm në disa ditë.
Egjipti, Katari dhe SHBA-të po ndërmjetësojnë në konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit./Indeksonline/