75 Mall Live Search
15:30 / E Hënë, 06 Tetor 2025 / AR

Po largohet nga muzika? Taylor Swift reagon për herë të parë

Taylor Swift, ka reaguar ashpër ndaj spekulimeve të fundit që qarkullojnë mes fansave, të cilët pretendojnë se ajo do të tërhiqet nga muzika pas martesës së saj me Travis Kelce.

Gjatë një interviste të dhënë në emisionin “BBC Radio 2” me gazetarin Scott Mills, Swift u pyet nëse albumi i saj më i ri, “The Life of a Showgirl”, do të jetë i fundit në karrierën e saj.

Mos më thuaj që ky është albumi yt i fundit?” – pyeti Mills.

“Çfarë? Jo!” – u përgjigj Swift menjëherë, me një ton të habitur dhe të vendosur.

Gazetari shpjegoi më tej se disa fansa kanë sugjeruar se pas martesës me Kelce dhe ndoshta një familje të ardhshme, Swift do të largohet nga muzika.

Këngëtarja reagoi me indinjatë: “Kjo është një gjë jashtëzakonisht fyese për të thënë. Nuk është ky qëllimi i martesës — që të lësh punën tënde.”

Swift shtoi se marrëdhënia e saj me Kelce është ndërtuar mbi mbështetje të ndërsjellë dhe mirëkuptim për pasionin që secili ka për profesionin e tij:

“E dua personin me të cilin jam sepse ai e do atë që unë bëj, dhe e vlerëson se sa e përmbushur ndjehem kur krijoj art dhe muzikë.”

Swift tregoi se ajo dhe Kelce, pavarësisht se vijnë nga industri të ndryshme – ajo nga muzika dhe ai nga sporti – e kanë gjetur një gjuhë të përbashkët:

“Të dy punojmë në stadiume të NFL për mbi tre orë e gjysmë. Ai ka stërvitje, unë kam prova. Ai ka ndeshje, unë kam shfaqje. Thjesht i quajmë ndryshe. Të dy kemi skuadra, të dy performojmë për publikun. Është njësoj në shumë aspekte.”

Swift dhe Kelce janë bashkë që prej verës së vitit 2023 dhe zyrtarizuan fejesën e tyre në gusht 2025.

Çifti publikoi një foto të përbashkët në Instagram më 26 gusht, duke ndarë lajmin me fansat, megjithëse propozimi kishte ndodhur dy javë më parë.

Këngëtarja u kujdes ta theksonte se dashuria e saj për muzikën nuk ka ndërmend të shuhet dhe se martesa nuk do të ndryshojë këtë:

“Imagjinoje sikur ai të më thoshte: ‘Mendova se do ta ndaloje muzikën pasi të fejohemi’. Kjo nuk do të kishte kuptim. Ai më njohu si artiste – dhe këtë e respekton.”