KFOR-i me stërvitje për kontrollin e turmave dhe trazirave

Batalioni i manovrimit të Komandës Rajonale-Lindje i misionit KFOR ka zhvilluar një stërvitje shumëkombëshe për kontrollin e turmave dhe trazirave.
“Kontingjenti polak demonstroi aftësinë e tij në kapërcimin e pengesave, operimin nën presion, mbështetjen e procedurave të Asgjësimit të Municioneve Shpërthyese (EOD) dhe ofrimin e kujdesit për të lënduarit. Ekipet amerikane ndihmuan në aktivitetet e EOD, ndërsa ushtarët letonezë siguruan mbulim me dronë, duke treguar koordinim dhe ndërveprim maksimal midis njësive shumëkombëshe të KFOR-it”, ka bërë të ditur KFOR-i në njoftim.

Sipas tyre, ushtrime të tilla forcojnë kohezionin, ndërveprimin dhe besimin e ndërsjellë, thelbësore për ruajtjen e gatishmërisë dhe efektivitetit në mjedise komplekse sigurie.

KFOR-i përsëritë se vazhdon të zbatojë mandatin, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
“KFOR punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Sundimit të Ligjit të Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, përfundon njoftimi i KFOR-it.