Brooklyn Beckham dhe Nicola Peltz injorojnë sfilatën e Victoria Beckham në Paris

Brooklyn Beckham dhe bashkëshortja e tij, Nicola Peltz, kanë munguar në sfilatën e nënës së tij, Victoria Beckham, gjatë “Paris Fashion Week”, duke përforcuar zërat për përçarjen që prej kohësh përflitet mes tyre.
Ndërkohë, pjesa tjetër e familjes Beckham u pa duke u nisur drejt eventit, David Beckham, së bashku me fëmijët Romeo, Cruz dhe Harper, u fotografuan teksa dilnin nga hoteli nën reshjet e shiut, të veshur me elegancë për të mbështetur nënën dhe bashkëshorten e tyre në ditën e madhe të modës.
Cruz Beckham u shfaq përkrah të dashurës së tij, Jackie Apostel, teksa e mbante për dore përpara kamerave.
Brooklyn, 26 vjeç, dhe Nicola, 30 vjeçe, nuk janë parë në ndonjë sfilatë të Victoria-s që nga edicioni i “Paris Fashion Week” në mars të vitit 2023.
Përçarja në familje duket se u thellua më herët këtë vit, kur çifti nuk mori pjesë në festën madhështore të 50-vjetorit të David Beckham, në maj. Disa raportime aluduan se shkak ishte marrëdhënia e Romeo-s me ish-të dashurën e Brooklyn-it, Kim Turnbull, por burime pranë familjes e mohuan këtë version.
Sipas mediave britanike, tensionet mes Nicola-s dhe Victoria-s nisën që në dasmën e çiftit në vitin 2022, kur nusja vendosi të mos vishte një fustan të krijuar nga vjehrra, por një të shtëpisë së modës Valentino. Thuhet se kjo vendimmarrje shkaktoi një krisje në marrëdhëniet mes tyre, e cila prej atëherë nuk është qetësuar plotësisht.
Në gusht, Brooklyn publikoi në Instagram një mesazh dashurie për bashkëshorten, duke lënë të kuptohet se qëndrimi i tij është i qartë: “E gjithë bota ime je ti. Do të dua përgjithmonë, gjithmonë të zgjedh ty, zemra ime. Ti je personi më i mahnitshëm që njoh. Vetëm unë dhe ti, përgjithmonë.”
Kjo deklaratë erdhi pas muajsh spekulimesh për marrëdhëniet e tij me familjen.
Në një intervistë për Daily Mail në shtator, Brooklyn foli hapur për thashethemet:
“Do të ketë gjithmonë njerëz që flasin negativisht, por unë kam një bashkëshorte që më mbështet pafund. Ne bëjmë tonën, punojmë, dhe jemi të lumtur,” u shpreh ai. “Të gjithë do të thonë çfarë të duan, por unë thjesht përpiqem të bëj timen, të luaj golf me miqtë dhe të kënaqem.”
Ndërkohë, Victoria, David, Romeo, Cruz dhe Harper vazhduan të përfaqësojnë familjen në rreshtin e parë të sfilatës, duke i qëndruar pranë stilistes në një nga momentet e saj më të rëndësishme të vitit.