Ardian Ismajli dhe Adrion Pajaziti largohen nga grumbullimi i Shqipërisë

Kombëtarja e Shqipërisë ka nisur përgatitjet gjatë ditës së sotme, për ndeshjen e madhe me Serbinë.
Kjo ndeshje luhet më 11 tetor në Leskovc dhe i përket kualifikimeve për Botërorin e vitit 2026. Pas tri ditësh, Shqipëria do të luajë edhe ndeshjen miqësore ndaj Jordanisë në “Air Albania”.
Në seancën e parë të këtij muaji, Sylvinho llogariti në pjesën më të madhe të lojtarëve, teksa Jasir Asani, Thomas Strakosha, Arbër Hoxha, Ivan Balliu dhe Enea Mihaj do t’i bashkohen më vonë “kuqezinjëve”.
Po ashtu, FSHF-ja bëri me dije se mbrojtësi Ardian Ismajli dhe mesfushori Adrion Pajaziti janë larguar nga grumbullimi shkaku i lëndimeve.
Ismajli dhe Pajaziti kanë kryer vizitat mjekësore në klubet respektive dhe pas shqyrtimit të analizave nga stafi mjekësor është konkluduar se nuk mund të rikuperohen në kohë për këto dy sfida.