Thuram përcakton objektivin, mendohet rikthimi nga lëndimi në takimin ndaj Romës

Marcus Thuram synon të rikuperohet deri të shtunën, më 18 tetor, kur rifillon kampionati dhe të jetë i gatshëm në sfidën në “Olimpico” kundër Romës.
Deri atëherë do të kenë kaluar 18 ditë nga dëmtimi që pësoi në pjesën e dytë të ndeshjes Inter–Slavia Praga.
Duke marrë parasysh se bëhet fjalë për një dëmtim “të shkallës së ulët” në kofshën e majtë, do të ishte një shërim i jashtëzakonshëm.
Thuram, sigurisht, nuk ka mundur t’i përgjigjet thirrjes së Kombëtares franceze.
Ky është një element që e favorizon në procesin e rikuperimit nga problemi muskulor. Por trajneri i Interit, Cristian Chivu dëshiron ta shohë me qetësi javën e ardhshme, pas miqësores në Bengazi ndaj Atletico Madridit dhe fundjavës së lirë që do t’i japë skuadrës.
Stafi mjekësor i Interit do t’i bëjë një kontroll me rezonancën magnetike pas disa ditësh për të verifikuar përparimin e tij.
Thuram do të ftohet vetëm kur të japë garanci të plota fizike dhe atletike, për të shmangur gabimin më të rrezikshëm: rikthimin e lëndimit, që mund të dëmtojë edhe më shumë fibrën muskulore.
Pra, objektivi është përcaktuar.
Por nëse do të realizohet, kjo do të varet nga mënyra se si trupi i Thuram do të reagojë ndaj terapive, masazheve dhe stërvitjeve të para në fushë.