Kupina: Sporti prioritet i ynë do të rrisim mbështetjen për klubet dhe të rinjtë sportistë

Rritja e numrit të fëmijëve dhe të rinjve të angazhuar në aktivitete sportive është një ndër prioritetet kryesore të Lidhjes së Prishtinës në kuadër të programit për zhvillim rinor dhe social.
Kështu u shpreh bartësi i listës së kësaj partie për Kuvendin Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupina, gjatë një vizite në klubin sportiv Cell Active.
Në këtë vizitë, Kupina u shoqërua nga Gazmend Gashi, kampion i shumëfishtë në boks dhe kandidat për asamblist nga radhët e Lidhjes së Prishtinës. Ata u takuan me një grup të rinjsh që ushtrojnë me përkushtim dhe pasion në këtë klub, duke dëgjuar nga afër sfidat dhe nevojat me të cilat përballen sportistët dhe trajnerët e tyre.
“Do të punojmë vazhdimisht për të siguruar kushte më të mira për klubet sportive në Prishtinë dhe për sportistët tanë të rinj. Rritja e subvencioneve për sportin është pjesë e angazhimit tonë konkret për të ndërtuar një gjeneratë më të shëndetshme, më aktive dhe më të suksesshme,” deklaroi Kupina.
Ai theksoi se përmes politikave të mirëstrukturuara dhe investimeve të qëndrueshme në infrastrukturë, trajnim dhe mbështetje financiare, sporti në kryeqytet do të marrë vendin që i takon.
Lidhja e Prishtinës ka paralajmëruar një sërë iniciativash që do të zbatohen pas zgjedhjeve komunale, në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin sportiv dhe organizatat rinore.